[nga seria e artikujve: Pse portalet e informacionit në Shqipëri duhet të krijojnë aplikacione mobile?]
Në zhvillimin e mediave online shqiptare dallojmë dy ndarje të mëdha. Në njërën anë kemi portalet e mediave tradicionale (shtyp, radio, gazeta) dhe në grupimin tjetër kemi portalet individuale të internetit të quajtura ndryshe dhe digital native media që nuk kanë lidhje me mediat tradicionale. Mediat tradicionale si shtypi, radio apo televizioni ishin mediat e para që ju afruan web-it me qëllim ofrimin e informacionit në një mënyrë alternative. Qasja e tyre drejt web është zhvilluar në tre faza:
- Në fazën e pare mediat tradicionale thjesht realizuan transferimin e përmbatjes që krijonin për gazetat, radion apo televizionin. Lajmet përditësoheshin vetëm 1 herë në 24 orë, nuk zgjerohet konteksti i informacionit dhe mungonte interaktiviteteti. Shembuj të këtyre gazetave përmendim gazetën Shekulli, Koha Jonë, Panorama, Gazeta Shqiptare, Korrierri etj.
- Në fazën e dytë krahas përmbajtjes e cila ishte krijuar për shtyp ose television nisën të krijojnë dhe materiale origjinale për web duke krijuar një lloj pavarësie nga redaksia mëmë. Shumica e portaleve shqiptare të informacionit janë në këtë fazë ose janë në një fazë tranzicioni drejt fazës së tretë.
- Gjatë fazës së tretë faqja online ose portali funksionon si një produkt apo njësi më vete përsa i përket burimeve njerëzore, menaxhimit dhe përmbatjes së prodhuar. Kjo fazë e tretë është ende në fillim e sipër në Shqipëri dhe atë që po përpiqen ta zhvillojnë janë kryesisht grupet e mëdha mediatike. Në disa raste kemi dhe shkëputje nga media tradicionale dhe fokusimi kryesor në industrinë e web-it (Gazeta Shqip).
Portalet individuale ose “digital native media” filluan të ofronin informacion të shumëllojshëm por kryesisht në fushën e lajmeve dhe të informimit duke u bërë pjesë e sistemit mediatik shqiptar. Arsyeja pse ato quhen “digital native media” është fakti se ato operojnë tërësisht në industrinë e web-it dhe përdorin këtë teknologji për krijimin dhe shpërndarjen e informacionit. Në përgjithësi këto portale përdorin me shumë sukses kanalet e marketingut online të rrjeteve sociale si Facebook, Twiter apo Youtube për të rritur klikushmërinë e tyre dhe audiencën e cila më vonë përkthehet në një nivel të caktuar të ardhurash.
Shumica e portaleve online të informacionit kanë një natyre të përgjithshme. Gjithsesi një pjesë e konsiderueshme e tyre po shkojnë drejt profilizimit gjithmonë e më të madh. Tashmë kemi portale lajmesh të fokusuara rreth ekonomisë, sportit, ashtu siç kemi dhe portale të tjera të fokusuara në njoftime, direktori biznesesh, listim ofertash etj.
Lloji i fundit i portaleve sa po vjen dhe po rritet ndjeshëm dhe këtu mund të përmend portale të tilla si njoftime.com, scan-tv, celsi.al, duapunë.com, gjirafa.com etj. Kjo do të detyrojë portalet aktuale të rikonceptojnë dhe rigrupojnë dhe njëherë informacionet e tyre për të synuar grupe audience gjithmonë e më të profilizuara. Sigurisht që një pjesë e mediave online nuk mund të quhen portale informacioni, pasi ato anojnë më shumë në formën e një faqe-je online. Gjithsesi, këto faqe po fillojnë të gjejnë mënyra të ndryshme për të tërhequr audiencen e tyre.
Shënim: Per informacion te metejshem mbi zhvillimit e mediave online ne Shqiperi ju sugjeroj punimin “Mediat online në Shqipëri” nga Rrapo Zguri.