[nga seria e artikujve: Pse portalet e informacionit në Shqipëri duhet të krijojnë aplikacione mobile?]
Pjesa kryesore e portaleve të informacionit në Shqipëri mbështeten nga një media tradicionale e fortë, e cila krahas markës që mund të ketë në treg ofron mbështetje financiare, mbështetje në burime njerëzore për krijimin e materialeve dhe përmbajtjes. Kjo bën që një pjesë e materialeve të transferohet midis medias televizive, medias së shkruar dhe medias online. Por pyetja që ekziston është: çfarë ndodh me pjesën tjetër të portaleve të pavarara ose individuale? Si kanë arritur ata të operojnë në treg? A përbën një biznes të mirë krijimi i portaleve të informacionit dhe të mediave online?
Portalet në Shqipëri, si kudo në botë në vendet e zhvilluara, janë në konkurencë me njëra-tjetrën për kapjen e një audience sa më të gjerë përdoruesish që i ndjekin, e cila eventualisht sipas parashikimeve të tyre sjell klikueshmëri më të lartë. Më pas kjo klikueshmëri do të përkthehet në modele biznesi për gjenerimin e të ardhurave. Modeli kryesor i biznesit në portalet e informacioneve është modeli i reklamimit, por edhe pse kudo në botë, industria e reklamimit online është një ndër industritë më të suksseshme në Shqipëri nuk po ecën me të njëjtin trend duke sjellë vështiresi financiare. Eventualisht problemet e vazhdueshme çojnë në mbylljen e këtyre portaleve.
Disa nga vështirësitë kryesore të cilat hasin portalet shqiptare janë:
- modele biznesi të kufizuara: modeli kryesor i portaleve është reklamimi. Reklamimi përfaqësohet me veprimin e shfaqjes së një imazhi, animacioni në një pjesë të faqes web e cila është e dukshme për syrin e përdoruesit. Pjesa dërmuese e portaleve shqiptare të informacionit bazohen kryesisht tek ky model. Avantazhi i web-it qëndron pikërisht në faktin e ofrimit të statistikave të matshme për të gjitha agjensitë e reklamimit. Por një portal duhet të ofrojë dhe modele të tjera biznesi. Për shembull, në Shqipëri mungon aksesimi i përmbajtjes në bazë të parapagesës apo abonimeve. Edhe portalet që mbështeten nga një media tradicionale dhe që kanë një redaksi të zgjeruar kanë dështuar për të realizuar një gjë të tillë.
- numri i madh i portaleve që ekzistojnë në Shqipëri: tregu shqiptar është treg jashtëzakonisht i vogël për kaq faqe sa ekzistojnë në shqip dhe është e pamundur që këto portale të mund të funksionojnë normalisht. Janë me qindra portale informative, shumë të ngjashme me njëri-tjetrin si në pamje dhe në përmbajtje që garojnë për të fituar lexuesin, ndërsa çdo ditë shohim portale të reja që hapen. Kjo i ndikon në dy aspekte portalet shqiptare të informacionit:
- këto portale do të garojnë me njëri-tjetrin për të tërhequr audiencën e përdoruesve dhe si rrjedhim ata do të ndahen midis këtyre portaleve duke rezultuar gjithmonë e më shumë në një zvogëlim të audiencës.
- duke qenë se ekziston një mbigopje tregu në këtë industri, rrjedhimisht do të kemi një sasi të madhe informacioni shpeshherë të përsëritur. Kjo do të ndikojë shumë besnikërinë e përdoruesve kundrejt këtyre portaleve. Një përdorues që mund të ketë ndjekur lajmet nga një portal nuk e bën dot me dallimin dhe shndërohet në ndjekës të shumë portaleve, rrjedhimisht duke ulur kontributin e tij në audiencën e përgjithshme të portalit.
- tërheqja e reklamave: edhe pse industria e web-it ofron një rekamim të shoqëruar me tregues statistikorë përsëri në Shqipëri kemi një trend tepër të ulët. Mediat tradicionale, TV, radio, gazeta marrin thuajse të gjithë pjesën e reklamave. Sepse edhe biznesi është i prirë të përqendrohet tek to. Ka disa kompani që e kuptojnë rëndësinë e web-it. Kanë arritur të kuptojnë edhe se vetëm mediat online kanë monitorim real të audiencës, e cila është bërë disa herë më e lartë se e mediave tradicionale. Por vlerat që kompanitë reklamuese ofrojnë apo paguajnë, janë shumë të vogla, duke i detyruar mediat e pavarura online që të vazhdojnë të punojnë për pasion.
- mbeshtetja financiare: ky problem vërehet veçanërisht në krijimin e infrastrukutrës së nevojshme tenkologjike dhe në madhësinë e burimeve njerëzore si redaksia e lajmeve, specialistët e marketingut etj. Këta faktorë në mënyrë indirekte ndikojnë në sasinë e materialit që publikohet online dhe rrjedhimisht dhe në klikueshmërinë totale të një portali.
Në kushtet e përmendura më sipër, iniciativat e krijimit të një portali në Shqipëri nuk përbëjnë më një biznes të mirë, pasi ata cilësohen nga shumë themelues që funksionojnë në kufijtë e mbijetesës. Si rezultat i një rritjeje tepër masive të numrit të tyre, audienca vazhdon dhe shpërndahet duke rezultuar në probleme të mëvonshme operacionale.