Libra

Steve Jobs dhe Elon Musk, dy libra që ja rekomandoj çdo personi

Steve Jobs and Elon Musk
Want create site? Find Free WordPress Themes and plugins.

Pushimet e verës janë koha më perfekte për të lexuar (edhe pse kam zbuluar se leximi në autobus apo trafik është mënyrë e mirë për të shfrytëzuar kohën në maksimum ). Gjatë pushimeve të fundit të verës, midis të tjerash, kam lexuar dy libra të cilët dëshiroj tua rekomandoj: Steve Jobs nga Walter Isaacson dhe Elon Musk nga Ashlee Vance (jo shoqëria që do të donit për pushimet e verës apo jo? – epo nuk jeni të vetmit). Librat janë biografi rreth dy individëve të cilët i konsideroj ndër sipërmarrës-krijuesit më të fuqishëm të dekadave të fundit.

Spoiler Alert – Teksti në vazhdim ka tone më serioze se teskti mësiper. Koha juaj është e çmuar ndaj ju sugjeroj që ta lexoni 😀

Libri për Jobs fokusohet më shumë mbi individin dhe luftën e tij për të na dhënë shërbimet që kemi sot. Ai pati ndikim në 6 industri kryesore nëpërmjet dy kompanive: Pixar dhe Apple. ADN e tij është e rrënjosur në mënyrën si Apple operon. Libri për Musk fokusohet shumë tek kultura e kompanisë qe ka krijuar, mënyra si funksionon dhe si i realizon gjërat. Shumë shpejt ti kupton që çdo gjë aty ka dorën e Musk.

Mënyra e tyre e ngritjes dhe e drejtimit të kompanisë është kombinim i modelit klasik ndërthurur me elementët modernë të Silicon Valley. Jobs frymëzohet ndjeshëm nga Bill Hewlettit (themeluesi i HP) ndërsa Musk ngjan shumë me Henry Ford (të dy kanë themeluar kompani makinash). Të dy parapëlqejnë lidhjen e drejtpërdrejtë me klientin duke eliminuar distributorët dhe përdorur modelin e tregut vertikal. Në çdo produkt Jobs insistonte në përmirësimin e vazhdueshëm të dizajnit për tu dhënë përdoruesve finalë eskperiencën maksimale. Ishte minimalist dhe çdo gjë dëshironte të kryhej me sa më pak veprime. Musk nga ana tjetër insiston në reduktimin e vazhdueshëm të kostove për ta bërë produktin më të përballueshëm për konsumatorin final. Jobs i kushtonte shumë rëndësi marketimit (vetë filmi biopik i tij është ndërtuar në 3 prapaskena prezantimi); Muks një pjesë të mirë të herëve e anashkalonte plotësisht departamentin e marrëdhënieve me publikun (ju kujton gjë Tonny Stark).

Të dy, si Jobs ashtu dhe Musk, midis të tjerash, u fokusuan në krijimin e produkteve tërësisht të rinj, të pandërtuar më parë për përdorim masiv, në një kohë kur të gjithë konkurentët kishin ngelur në vend për nga inovacioni. Në fushën e ekonomisë dixhitale Jobs vlerësohet si pararendës i risisë dhe imagjinatës duke revolucionarizuar industrinë e muzikës, botimeve dhe aplikacioneve. Në fushën e energjisë së rinovueshme Musk është në rrugë të mbarë për të ndryshuar rrënjësisht industrinë e makinave dhe për tu bërë pararendës në shfrytëzimin e energjisë diellore.

Motivet e Jobsit bazohen në rëndësinë e njerëzve që qëndrojnë në kryqëzimin midis shkencave humane dhe atyre natyrore, ndërkohë qellimi kryesor në jetën e Muskut është ta bëjë njerëzimin specie ndërplanetare duke u shndëruar në kolonizatorin e Marsit (arsyeja pse SpaceX ekziston). Në zyrën e Muskut ndodhen dy fotografi – e para paraqet Marsin siç është aktualisht ndërsa e dyta si e imagjinon të kolonizuar (Musk e konsideron pushtimin e hapësirës si të vetmen mënyrë që njerëzimi të mbijetojë).

Në pamje të parë, çdo marketer, çdo biznesmen, çdo investitor, çdo sipëmarrës apo çdo person i çmendur pas dizajnit do të pëlqente Steve Jobs; pjesa tjetër lehtësisht mund të pëlqejë Elon Musk. Të dy janë këmbëngulës, tmerrësisht inovativë, shpeshherë të paskrupullt dhe në një luftë të vazhdueshme me inxhinierët e tyre (Jobs për shkak të manisë të theksuar me dizajnin, Musk me reduktimin e kostove). Të dy figurat kanë kundërshtitë dhe pranueshmëritë e tyre në media. Shumëkush pëlqen vetëm njërin, disa të dy dhe një pjesë asnjë prej tyre. Gjykimi mbetet i juaji.

Kapni një libër dhe ju siguroj se përpara se ta mbaroni do të keni porositur të dytin 😉

Did you find apk for android? You can find new Free Android Games and apps.
Tags: