[nga seria e artikujve: Pse portalet e informacionit në Shqipëri duhet të krijojnë aplikacione mobile?]
Analizat dhe studimet në lidhje me përdorimin e smartphoneve në Shqipëri janë të pakta, për të mos thënë që nuk ekzistojnë fare. Të vetmet informacione të cilat ekzistojnë janë ato të publikuara në faqen zyrtare të AKEP në lidhje me sektorin e telekomunikacionit në Shqipëri. Nga ana tjetër njohja e një tregu të tillë është tepër e nevojshme për të parë tendencat dhe sjelljet konsumatore.
Për këtë arsye, hartova një pyetësor në lidhje me mënyrën e përdorimit të smartphone-ve në Shqipëri. Qëllimi kryesor i pyetësorit është që të studiojë sjelljen e individëve, të cilët disponojnë një smartphone, në lidhje me mënyrën se si e përdorin telefonin e tyre personal në jetën e përditshme. Objektivi kryesor është identifikimi i disa treguesve që mbështesin ndjekjen e strategjisë së sipërmendur.
Pyetësori është ndërtuar në tre seksione llogjike:
- Pyetje në lidhje me mënyrën e përdorimit të smartphone-ve
- Pyetje në lidhje me përdorimin e kompjuterave krahasuar me përdorimin e smartphone-ve
- Pyetje në lidhje me njohuritë mbi portalet dhe përdorimit të tyre
Të dhënat e grumbulluara janë të një natyre sasiore. Si rrjedhim dhe analiza e aplikuar mbi rezulatet e pyetësorit është kryesisht një analizë sasiore. Paraqitja e të dhënave do të bëhet në formë tabelare ose grafike. Le te fillojmë të paraqesim rezultatet më të rëndësishme të përfituara nga pyetësori, së bashku me interpretimin për secilin prej tyre.
Në figurën e mëposhtme paraqitet shpërndarja e sistemit të operimit. Shohim që rreth 70 % e përdoruesve kanë një pajisje me sistem operimi Android dhe rreth 23 % kanë një pajisje me sistem operimi iOS. Arsyet e një shpërndarjeje të tillë mund të jenë disa:
- Teknologjia Android vjen në një numër të shumtë pajisjesh të ndryshme. Me sisteme operimi Android nuk prodhon vetem Google, por dhe Samsung, LG, Motorola, Lenovo, Asus, HTC etj. Faktor për ekzistencën e kaq shumë prodhuesve është fakti që Android është një sistem i hapur dhe kodi i tij mund të modifikohet sipas interesave të prodhuesve.
- Niveli i të ardhurave të popullsisë. Pajisjet Android ofrojnë një diversitet çmimesh ku mbizotërojnë ato me çmime të ulëta, në krahasim me serinë e iPhone ku përgjithësisht cmimet janë shumë të larta. Duke qënë se niveli i të ardhurave në Shqipëri është i ulët, edhe përdoruesit do të tentojnë të blejnë pajisjet të cilat kushtojnë më pak.

Kur ndërtohet një produkt parashikohet koha që do të shpenzohet me të nga individët në përgjithësi; kur vendoset një reklamë marketingu, DSA, billboard banner parashikohet sa individë mund të kalojnë në atë zonë apo më e rëndësishme sa kohë, individët, shpenzojnë në atë zonë në mënyrë që reklama tu tërheqë vëmendjen. Kur ndërtohet një aplikacion e rëndësishme është të shikohet sa kohë shpenzojnë përdoruesit me smartphone në mënyrë që më pas të bëhet një parashikim për mundësitë që në këtë hapësirë kohore përdoruesi ti kushtojnë vëmendje apikacionit.
Figura e mëposhtme na jep një paraqitje të saktë të këtij treguesi. 35 % e përdoruesve shpenzojnë 2 deri në 4 orë në ditë dhe 23 % e përdoruesve shpenzojnë 4 – 6 orë në ditë. Pjesa tjetër janë rezultate ekstreme të cilët tregojnë ose faktin që telefoni përdoret kryesisht për qëllime pune, ose faktin që përdoruesit janë shumë të varur nga teknologjia e smartphone-ve. Personat që perdorin telefonin më shume se 6 orë janë në nivelin 23 %, një shifër kjo relativisht e lartë. Pra nga këto shifra, shohim që smartphone praktikisht është kthyer në një pajisje personale. Shanset që një aplikacion të tërheqë vëmendjen gjatë përdorimit të kësaj hapësire kohore janë të larta. Si rrjedhim masa konsumatore ekziston, vetëm duhet gjetur mënyra si të realizohet kjo gjë.

Rezultatet e tjera të pyetësorit i gjeni në artikujt e mëposhtëm:
- Arsyet e përdorimit të smartphone-ve
- Përdorimi i kompjuterit krahasuar me smartphone-in
- Si përdoren portalet e informacionit?