Komunikim

A jemi ne shpellarët e kohëve moderne? Ngritja e emojis (Pjesa 1)

Emoji Brain
Want create site? Find Free WordPress Themes and plugins.

Tung! Për këdo që po viziton blogun tim për herë të parë, ose për këdo që ka ardhur sot rastësisht dhe dëshiron të lexojë këtë artikull (a ekziston vërtet ky person 😛 ) ky është artikulli im i parë.  Artikulli i parë është gjithmone më i vështiri, pasi cfarë shërben si pikënisje, përcakton dhe  hapat e ardhshëm. Në fakt të shkruash në lidhje me teknologjinë dhe implikimet e saj në kohën e sotme nuk është e lehtë; të shkruash për të është si të shkruash për një mënyrë jetese.

Artikulli i parë (i pari në një seri artikujsh në fakt) ka të bëjë me komunikimin. Komunikimi fillon me gjuhën, aftësinë tonë të veçantë, e cila ka mundësuar zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Gjuha është ajo urë komunikimi që mesazhin më kompleks e transmeton dhe e përhap kudo në distancë.  Për mijëra vjet, forma e shkruar ka qenë zgjedhja kryesore e kalimit të mesazheve në hapësirë dhe në kohë. Mjeti i transmetimit ka ndryshuar (nga letra në mënyrë elektronike), ndërsa forma jo.

Historia e komunikimit është një kërkim njerëzor për të gjetur mënyrat dhe alternativat më të mira për t’i përcjellë këto mesazhe në mënyrë universale. Rezultati: emojis. (Sinqerisht, unë nuk mendoj se emojis janë hapi më i lartë i evolucionit, përkundrazi, në shumicën e rasteve mendoj se kemi bërë një hap prapa, por do të përpiqem të nxjerr të mirat dhe të keqijat në përdorimin e tyre)

Një gjë e them me bindje, emoji kanë ndryshuar mënyrën se si bota komunikon. Cdo ditë dërgohen mesatarisht 5 miliardë emoji në Messenger dhe 60 milionë në Facebook. (Në qoftë se ju doni të gjurmoni përdorimin në Twitter klikoni këtu (emoji tracker)). Ekzistojnë më shumë se 2,500 emoji të disponueshëm për përdorim në pajisjet smartphone. Emoji bazuar ne VIP-a shtohen cdo ditë (besoj se e kuptoni, është e nevojshme ti kemi fytyrat e tyre në tastierë). Sony ka zhvilluar një film të animuar bazuar në emojis (edhe pse TJ Miller është pjesë e tij, konsiderohet gjerësisht si një dështim, aktualisht 8% në Rotten Tomatoes, vlerësuar me një yll nga The Guardian). ‘Liza në boten e cudirave’ dhe ‘Moby Dick’ janë rishkruar duke përdorur vetëm emojis, dhe nëse po kërkoni më shumë fakte përse emojis e kanë mbërthyer botën kaq fuqishëm, Universiteti i Oksfordit deklaroi si fjalën e vitit 2015 një emoji, lot gëzimi ( 😉 )

Me vjen keq t’ju zhgënjej, por fjala e vitit për vitin 2016 është ‘post-truth’ (një situatë në të cilën kultura dhe politika bazohet duke përdorur emocionet dhe jo faktet – për fat të mirë, kësaj here ju referuan Shekspirit ). Ende pyesni veten pse? Epo, ndodhi Brexit, dhe pastaj fushata elektorale në SHBA 😛 (më vjen keq emojis, por ende kemi gjëra më të rendësishme). Le të kthehemi tek emojis. Si përfunduam të gjithë në përdorimin e hieroglifeve moderne në komunikimin tonë të përditshëm? Unë do të shpjegoj shkurtimisht disa detaje sesi nisi, por nuk do të ndalem shumë mbi to.

Pikë së pari, dua të shpjegoj dallimin mes “emoticon” dhe “emoji”, pasi ato shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjellë, por nuk janë e njëjta gjë. Një emoticon është një seri simbolesh të tastierës, zakonisht shenja pikësimi që shërbejnë për të përfaqësuar një shprehi të fytyrës. Ishte Scott Fahlman, një profesor i shkencave kompjuterike që krijoi emoticon-in e parë në shtator 1982 – “Smiley :-)”. Nga ana tjetër, një emoji (nga japonishtja pikturë – karakter) është një imazh i vogël dixhital ose ikonë që përdoret për të shprehur një ide ose një emoticon. Njeriu që duhet të falënderohet (ose fajësohet) është Shigetaka Kurita.

emoji-vs-emoticon

Në fund të viteve ’90, Shigetaka mendonte se mesazhet-tekst i ndrydhnin aftësitë e njerëzve për të shprehur emocione apo ndjenja. Sipas tij, mospërfshirja e aspektit personal në komunikim ishte një problem që duhej të zgjidhej. Duke përdorur shembullin e tij, një person do të ishte më i lumtur nëse do të shihte një figure të diellit, në vend të një përshkrimi si “kohe e mire” në parashikimin e motit. Nisur nga ky këndvështrim, ai mendonte se nëse personi do të shihte një imazh ose një simbol, në vend të disa fjalëve (ne ate kohe mesazhet-tekst kishin nje numër te kufizuar karakteresh), ai do të kuptonte të gjithe spektrin e emocioneve të personit tjeter Kështu që, sëbashku me një ekip, zhvilloi një bashkësi prej 176 emoji që ishin 12 piksel me 12 piksel. Ai bashkëpunoi me disa kompani telekomunikacioni të cilat përfshinin emojis në telefonat e tyre (vetëm për tregun japonez).

Çuditërisht shumë gjëra interesante që vijnë nga lindja, shndërrohen në tendenca në perëndim. Nëse doni që diçka të bëhet e njohur globalisht atëherë duhet të drejtoheni tek Apple. Jozyrtarisht Apple ka implementuar emojis në 2007 për disa tregje (për tregun japonez natyrisht), por vetëm në 2011 me lëshimin e iOS 5 ajo filloi të mbështesë emojis globalisht. Pas Apple, të gjithë kompanitë e tjera filluan të zhvillojnë grupin e tyre të emojis. Emojis shtohen çdo vit, dhe tani ka më shumë se 2,500 emojis në dispozicion për përdorim. Dhe e dini çfarë: kemi edhe një ditë të veçantë kushtuar emojit, Dita Emoji – 17 korrik (edhe pse nuk e kuptoj nevojën për të), kompanitë e ndryshme e përdorin 17 korrikun për të promovuar emoji dhe për të mbajtur evente që lidhen me emoji.

Ndoshta jeni mërzitur duke lexuar rreth fakteve dhe historisë. Në fund të fundit, unë nuk i jam përgjigjur pyetjes kryesore: A jemi ne shpellarët e kohëve moderne? Për të marrë përgjigjen, ju lutem kaloni në pjesën e dytë të këtij artikulli. (ky post u bë tepër i gjatë ).

Shihemi 😀

Did you find apk for android? You can find new Free Android Games and apps.
Tags: